Capello: Ibra do e ndryshojë Milanin, “Interi dhe Juvja i kanë armët për të fituar titullin”

Fabio Kapelo ka qenë trajneri i parë i Zlatan Ibrahimoviçit në Serinë A, kur suedezi zbarkonte te Juventusi. Edhe vetë sulmuesi e ka pranuar ndihmesën e madhe që tekniku i ka dhënë në fillimet e karrierës së tij në një klub si bardhezinjtë.

Në thuajse 15 vite distancë, edhe Kapelo kujton cilësitë e suedezit, për të cilin, në një intervistë për “Rai 2”, deklaroi: “Zlatani është një blerje e goditur nga ana e Milanit. Po flasim për një futbollist me shumë personalitet, që në fushë nuk zbret për të luajtur, por për të fituar. Në këtë aspekt, e shoh si një stimul edhe për pjesën tjetër të ekipit”. Ibra nuk luan një ndeshje që prej 25 tetorit, por për Kapelon, ky nuk është një problem, të paktën jo aq i madh. “Duke mos luajtur, do të ketë disa vështirësi për të gjetur formën ideale, por edhe në këtë mënyrë, cilësitë e tij do të dalin në pah, sepse ka më shumë se të tjerët”. deklaroi 73- vjeçari.

Ndikimi taktik i Ibrës në ekipin e Piolit është një tjetër çështje, për të cilën Kapelo dha mendimin e tij, duke sqaruar: “Dihet botërisht që krah Ibrës luajnë mirë të gjithë. Pionteku dhe Leao do të kenë shanset e tyre dhe do të duhet të tregojnë se janë në gjendje të qëndrojnë pranë Ibrës. Lojtarë si Noçerino apo Boateng kanë shënuar shpesh kur luanin me Ibrën, teksa kur ai u largua nga Milani, nuk shënuan më me ritmet e dikurshme, por në këtë rast e kam fjalën për mesfushorët”.

KUJTIME BARDHEZI – Kapelo në fjalën e tij foli edhe për bashkëpunimin me Ibrën në kohët kur të dy ishin pjesë e Juventusit duke deklaruar: “Deri kur më takoi mua kishte pasur vështirësi të nxirrte në pah të gjithë potencialin e tij”.

Nuk mund të mungonte edhe një mendim i 73- vjeçarit për Serinë A, për të cilin tha: “Interi dhe Juventusi kanë armët për të fituar titullin. Më duhet të pranoj se edhe Lacio e Roma po paraqiten mirë. Bardhekaltrit nuk kanë frikë të luajnë kundër favoriteve, ndaj për mua janë skuadrat më të rrezikshme pas dy të parave, të cilat gjithsesi kanë më shumë cilësi”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here