Lukaku tregon dallimin mes Manchester United dhe Interit

Romelu Lukaku nuk e konsideron kohën e tij te Manchester United si një përvojë të keqe. Ai thotë se ato dy vite në “Old Trafford” e kanë bërë më të fortë.

Jose Mourinho e bleu sulmuesin belg për 75 milionë £ nga Evertoni, me bindjen se po merrte një lojtar të sprovuar në Premier League. Lukaku do të shënonte 42 gola në 96 ndeshje, por asnjëherë nuk bindi me të vërtetë në një sistem loje, i cili kërkonte që ai të ishte më shumë sesa një “pikë fokale” sulmuese.

Në fund të fundit, mundësia për t’u larguar drejt gjigantëve të Serie A (Inter) në verën e vitit 2019 ishte shumë e mirë për të gjitha palët. Manchester United rimbursoi paratë e shpenzuara për një lojtar, që ishte zhgënjyer nga jeta në Manchester. Kjo marrëveshje ka punuar për të gjithë të interesuarit. Marcus Rashford dhe Anthony Martial kanë “lulëzuar” në “Old Trafford”, ashtu si Lukaku në Itali. Ky i fundit pretendon se ka përfituar nga eksperienca e tij te Manchester United. Lukaku u tha gazetarëve nga “Global Soccer Awards” në Dubai, kur u pyet për kohën e tij në “Teatrin e Ëndrrave”:

“Periudha atje më ka bërë më të fortë. Unë nuk e shikoj atë negativisht. Në të vërtetë më ka ndihmuar mendërisht të jem i gatshëm dhe të rritem si lojtar, edhe si njeri. Nuk do ta shoh kurrë si një përvojë të keqe, sepse më ndihmoi të jem aty ku jam sot”. Lukaku ka shpërthyer me Interin, duke shënuar 12 gola në 17 ndeshje të Serie A. 26-vjeçari shtoi: “Është e qartë se tani, që jam tek Interi, kam përfitime nga ato që kam mësuar në Manchester, si nga pikëpamja sportive, ashtu edhe josportive. Jam shumë më i qetë në Milano. Në kokën time ka shumë më tepër qetësi. Unë jam një person që, kur gjërat nuk shkojnë mirë, e demonstroj atë me shumë zemërim. Jam më i fortë, pas përvojës te Manchester United”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here