Bayerni shpartallon Schalken me rezultat 5-0 (VIDEO)

Bayern Munich ka marrë fitoren e pestë radhazi në Bundesliga pasi ka mundur 5-0 Schalke-n në javën e 19-të.

Një sukses që i ka ngjitur bavarezët në vendin e dytë të renditjes dhe i ka çuar vetëm një pikë larg Leipzig-ut kryesues.

Siç kuptohet edhe nga rezultati, gjithçka ka qenë e lehtë për skuadrën e Flick. Vetëm gjashtë minutave u janë dashur vendasve për të zhbllokuar ndeshjen me Lewandowski-n, i cili ka përfituar nga një gafë e portierit Schubert.

Në fundin e 45 minutave të para ka ardhur edhe goli i dytë i bavarezëve, i shënuar nga Thomas Muller, i 100-ti për sulmuesin në ndeshjet e luajtura në të gjitha kompeticionet në Allianz Arena.

Pjesa e dytë ka filluar ashtu siç është mbyllur e para, me Bayern që ka gjetur golin e tretë me një goditje magjike të Goretzka-s. Pokeri është kompletuar tetë minutë më vonë, kur Alcantara ka dërguar topin me lehtësi në rrjetë pas asistit të Lewandowski-t.

Në fundin e ndeshjes, në minutën e 89-të ka ardhur edhe goli i pestë i vendasve, që është shënuar nga Gnabry, i cili është ndihmuar nga një gabim i portierit kundërshtar.

Me këtë rezultat, Bayern jo vetëm që ka sulmin më të mirë të këtij sezoni (55 gola), por edhe më të mirin e Bundesliga-s në 34 vitet e fundit. Werder Bremen ka shënuar 57 gola pas 19 ndeshjesh të kampionatit në sezonin 1985-86.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here