Sociedadi mposht Realin në Bernabeu dhe kualifikohet në gjysmëfinalen e Kupës së Mbretit

Real Sociedad ka arritur të marrë një fitore të madhe në udhëtim te Real Madridi.

Skuadra nga San Sebastian ka triumfuar me rezultat 3-4, për të siguruar gjysmëfinalen e Copa del Rey.

Goli i parë në ndeshje erdhi nga një futbollist i Realit, por që është i huazuar tek Sociedad, Martin Odegaard.

Norvegjezi realizoi pas një topi të kthyer nga portieri Areola dhe me një goditje të fortë shënoi për epërsinë e parë të Sociedadit 0-1.

Me epërsinë 0-1 të mysafirëve përfunduan 45 minutat e para të kësaj sfide.

Sociedadi e nisi për mrekulli edhe pjesën e dytë, kur në minutën e 54-të, Alexander Isak shënoi një gol të mrekullueshëm për 0-2.

Sulmuesi suedez shënoi vetëm pas dy minutave golin e dytë personal në këtë takim dhe të tretin për skuadrën e tij për 0-3.

Los Blancos ngushtuan epërsinë në 1-3 me golin e shënuar nga Marcelo në minutën e 59-të.

Kur pritej që Reali ta merrte lojën në dorë dhe të shënonte gola të tjerë, ndodhi e kundërta pasi Sociedad shënuan edhe golin e katërt me Merinon i cili u asistua nga Isak.

Golat nuk u ndalën, pasi vendasit shënuan golin e dytë në minutën e 79-të me brazilianin Vinicius Junior.

Në minutën e 93-të, Nacho shënoi me kokë për ta ngushtuar epërsinë në 3-4, por kjo ishte e tëra nga Real Madridi pasi nuk arritën golin e barazimit.

Kësisoj Sociedad morën një triumf të madh duke kaluar në gjysmëfinalen e Copa del Rey.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here