UEFA pranon gabimin që i kushtoi Ajaxit eleminimin nga Liga e Kampionëve

Ndeshja e Champions League mes Ajax-it dhe Chelsea-t ka kaluar në histori jo vetëm sepse ka mbaruar 4-4 pasi Blutë ishin në disavantazh të tre golave.

Skena që mbetet sigurisht e paharrueshme është ajo e ndëshkimit të dyfishtë që i ka lënë holandezët me 9 lojtarë sa hap e mbyll sytë.

Dy të kuq për dy qendërmbrojtësit e Ajax-it në të njëjtin aksion. Ai që i ka dhënë kartonët ka qenë Gianluca Rocchi, i cili ka nxjerrë nga fushë në harkun e pak sekondave Blind, i ndëshkuar me të verdhë për një ndërhyrje të mëparshme, dhe më pas i ka dhënë të verdhin e dytë edhe Veltman-it pas penalltisë së akorduar për një prekje të topit me dorë të lojtarit.

Polemikat kanë qenë të shumta pas ndeshjes, edhe pse ai barazim i kushtoi eliminimin Ajax-it. Dhe tani, siç ka bërë të ditur De Telegraaf, vetë UEFA ka konfirmuar se Rocchi ka gabuar gjatë një mbledhje të zhvilluar me arbitrat në Palma të Majorkës.

E përditshmja holandeze ka shpjeguar se nuk ka asnjë diskutim për të kuqin e Blind, por se arbitri italian duhej ta kishte ndërprerë lojën pas faullit të mbrojtësit për ta nxjerrë jashtë fushës, duke konsideruar se faulli ka ndodhur larg zonës së rreptësisë dhe nuk ishin kushtet për të lejuar avantazhin.

Për rrjedhojë, Ajax-i do ta kishte mbyllur ndeshjen me dhjetë lojtarë dhe nuk do të kishte patur një penallti kundër dhe nuk do të kishte marrë kartonin e dytë të kuq. Domethënë, një gabim i arbitrit. Por jo vetëm kaq. De Telegraaf ka shkruar se Rosetti, presidenti i komisionit të arbitrave të UEFA-s, ka thënë se në atë rast edhe arbitrat e VAR-it mund të kishin ndërhyrë për të anuluar vendimin e Rocchi-t.

Aq sa mjafton për t’i bindur holandezët se kanë pësuar një dëm ekonomik, duke parë se kanë humbur rreth 12 milionë eurot e garantuara nga kualifikimi në fazën me eliminim direkt dhe nga shpërblimi për fitimin e ndeshjes.

Tani ka filluar të flitet për një kërkesë për dëmshpërblim nga ana e Ajax-it. Sjaak Swart, futbollisti me më shumë ndeshje të luajtura në historinë e klubit holandez, është dakord: “Më duket e drejtë të kërkohet një dëmshpërblim ekonomik”, ka thënë ai.

Van der Saar, siç ka bërë të ditur The Sun, nuk arrin të gjejë ngushëllim: “Na vjen keq që është konfirmuar ajo që dyshonim, që janë bërë gabime vendimtare”. Gjithsesi, në fund, në 1/8-at e Champions-it do të jetë skuadra e Lampard. Dhe paratë nuk mund të bëjnë asgjë në lidhje me këtë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here