ANALIZA/ Derby della Madonnina, rënia e Milanit në 3 “lëvizje”

Problemet janë sa të shumta, aq edhe të vjetra, për të mos thënë të lashta. Humbja në derbi sidoqoftë nuk mund të minimizohet duke identifikuar shkaqet, sepse zgjidhja do të ishte shumë e lehtë duke qenë se do të mjaftonte të mos përsëriteshin gabimet. Futbollistët janë njerëz e si pasojë nuk mund të jenë të përsosur, por pas një skuadre që përsërit në vazhdimësi të njëjtat rrëzime, drejtuesit po gabojnë duke ofruar zgjidhje të papërshtatshme, për të mos thënë totalisht të gabuara.

“Gazzetta dello sport” është munduar të përqendrohet vetëm te derbi i të dielës dhe ka identifikuar tri arsyet e humbjes. 1- Është e pamohueshme që Stefano Pioli e kishte përgatitur duelin me Interin në mënyrën më të mirë. Për sa u mbajtën këmbët dhe nervat, të besuarit e tij u përgjigjën po mirë, por duke harruar se ndeshjet zgjasin 90 dhe jo 45 minuta. Pjesa e parë e Milanit ishte e përsosur me Çalhanoglunë që përveçse mbështeste Ibrën si sulmues i vetëm, gjente kohë dhe forca të ndiqte këmba-këmbës Brozoviçin.

Kastijeho me Rebiçin të mbuluar nga Konti e Hernandez mbajtën të tërhequr anësorët e Interit. Të justifikohesh me mungesë energjie pas vetëm 5 minutash nga pjesa e dytë është banale, ndaj mentaliteti dhe përqendrimi janë faktorët që ndikuan në “daljen” nga loja të Çalhangolusë.

I pari turku, e të tjerët me radhë humbën dukshëm çdo ide prej tronditjes së golit të parë interist, çka në harkun e pjesës së dytë mundësoi rënien e Milanit duke i dorëzuar çelësat e rezultatit bandës së Kontes. 2- Goditja e dyfishtë e Interit e realizuar në tetë minuta veniti çdo qëllim milanist për të fituar takimin. Dikush, e patjetër jo Pioli, mendoi se mjaftuan dy gola dhe një pjesë e parë për të fituar takimin.

Kasijeho Milan

Reagimi i zikaltërve shtangu Milanin që u gjend më shumë i papërgatitur sesa i lodhur për të përballuar dallgën e Interit e jo më për t’iu kundërpërgjigjur. I braktisur nga Kesi, Benaser u mundua të mbajë ngjitur tri reparte, teksa Kastijeho me Çalhanglunë ulën xhirot duke ekspozuar ekipin ndaj kundërsulmeve tipike të lojës së Kontes. Rrëmuja në sulmet e fundit është sinjali më i qartë i ideve të pakta dhe aspak të qarta të lojtarëve kuqezi, teksa goli i 4-2 një pasojë direkte e shpërbërjes së Milanit. 3- Mbrojtja nuk bind.

Një nga pikat e forta të “Djallit” në 40 ditët e para të 2020-ës u shkërmoq pa rezistencë. Qendërmbrojtësit nuk mbulojnë dot zonat e tyre, teksa Konti është gjithmonë një gjysmë sekonde me vonesë, çka në të tilla nivele në mos me gol të pësuar, paguhet me të paktën një aksion të rrezikshëm, çka ul besueshmërinë në nivel reparti. Nëse Kjaerit nuk mund t’i kërkohet më shumë, Romanjoli përpara syve të Mançinit në tribunë mund dhe duhej të bënte më shumë, të paktën në atë që cilësohet zanati i tij. Gabime fatale në individë që paguhen shtrenjtë nga skuadra.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here