Zbulohet skenari i fundit: Ja kur rikthehet Champions League…

Ditë plot konfrontime idesh në lidhje me rikuperimin e futbollit. Ende nuk e shohim dritën në fund të tunelit, por UEFA dhe ECA padyshim po mendojnë për mënyrën më të mirë të përmbylljes së sezonit, kur futbolli mund të kthehet në jetën tonë.

Sipas asaj që raportohet nga “Cadena SER”, UEFA dhe ECA, sigurisht që ndajnë një bindje të përbashkët mes tyre: para së gjithash duhet të rifillohet me kampionatet kombëtare. Kjo është përparësia, pastaj kupat europiane.

Liga e Kampionëve dhe “Europa League” po shkojnë drejt një shtyrjeje në gusht, çka tani është thuajse e konfirmuar. Sipas përllogaritjeve të fundit, nëse do të kishte shumë pak kohë, çerekfinalja, gjysmëfinalja dhe finalja do të luheshin brenda dy javësh, vetëm nga një ndeshje e thatë (jo vajtje e kthim), pa spektatorë dhe në një fushë neutrale.

Në këtë projekt, lojtarët do të kishin tri javë pushime pas përfundimit të kupave europiane, me sezonin tjetër që fillon në shtator. Në këtë kuptim, data që do të futet në rreth në kalendar është e marta e 21 prillit, kur do të zhvillohet videokonferenca e dytë midis UEFA-s dhe sekretarëve të përgjithshëm të 55 federatave europiane, për të dëgjuar mendimin e të gjithëve.

Burime të UEFA-s ritheksojnë se gjëja kryesore do të jetë respektimi i shëndetit të të gjithëve, kështu që së pari duhet të presim për lajme pozitive nga pandemia e koronavirusit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here