Bayerni mposht Borussia Monchengladbach dhe hedh një hap të madh drejt titullit

Bayern Munichu ka regjistruar fitore të rëndësishme ndaj Borussia Monchengladbachut (2-1) duke iu afruar akoma më shumë titullit të kampionit në Gjermani.

Skuadra mysafire e dërgoi topin në rrjetë në minutën e 16-të me anë të Jonas Hofmann, mirëpo goli u anulua për pozitë jashtë loje pas konsultimit të VAR-it.

Të dyja skuadrat vazhduan të ishin të rrezikshme, ndërsa rezultatin e zhbllokuan bavarezët me golin e Joshua Zirkzee (26’) pas gabimit të lojtarëve kundërshtarë.

Mirëpo, në pjesën e parë u shënua edhe një gol për vizitorët dhe kështu u barazua rezultati (37’). Në fakt, ishte një autogol nga Benjamin Pavard, i cili në përpjekje për ta pastruar një harkim e dërgoi topin në rrjetë.

Patrick Herrmann në njërën anë dhe Joshua Kimmich e Serge Gnabry në anën tjetër, u treguan të rrezikshëm në fraksionin e dytë, por jo edhe efektivë.

Mirëpo, kur po zhvilloheshin minutat e fundit të takimit, Pavard asistoi për Leon Goretzka brenda zonës dhe futbollisti i pamarkuar e shënoi golin e fitores për liderin.

Falë këtij triumfi, Bayern Munichu është shtatë pikë përpara Borussia Dortmundit në tabelën e Bundesligas kur kanë mbetur edhe tri javë (nëntë pikë) për t’u zhvilluar. Me fitore në xhiron e ardhshme, Bayerni do të shpallet kampion.

Borussia Monchengladbachu mbetet në zonën evropiane, ndërsa ka konkurrencë nga Bayer Leverkuseni për një vend që dërgon në Ligën e Kampionëve.

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here