6-1, Tottenham turpëron Unitedin në Old Trafford

Jose Mourinho ia ka dalë të ndërtojë një Tottenham të frikshëm, teksa forcën e londinezëve sot e provoi Manchester United, që u dorëzua pa kushte në ‘Old Trafford” dhe pranoi humbjen me rezultatin e thellë e tenistik 1-6.

Kryendeshja e javës në kampionatin anglez nisi mjaft e vrullshme, teksa “djajtë e kuq” fituan një 11-metërsh që në minutën e dytë dhe arritën të kalojnë në avantazh pas ekzekutimit të saktë të Bruno Fernandes.

Megjithatë “Spurs” reaguan po aq shpejt dhe arritën të rikthejnë baraspeshën vetëm dy minuta më vonë, me anë të mesfushorit francez Ndombele, që luante titullar dhe përfitoi nga një spastrim i gabuar i Maguirre, duke ndëshkuar De Gean.

Në minutën e 7’ ishte Harry Kane që pasi fitoi një faull në gjysmëfushën kundërshtare, përfitoi nga mungesa e vëmendjes e mbrojtjes së Man. United dhe nisi menjëherë koreanin Hueng Min Son, i cili shënoi golin e dytë, duke i dhënë avantazhin Tottenhamit.

Gjërat u komplikuan edhe më shumë për skuadrën e Ole Gunnas Solskjaer, pasi në minutën e 28’ Anthony Martial i dha një shpullë të lehtë argjentinasit Lamela, në një dyluftim në zonë dhe arbitri ndëshkoi francezin me karton të kuq.

Tottenham përfitoi maksimalisht nga epërsia numerike dhe arriti të shënojë edhe dy herë të tjera brenda pjesës së parë, fillimisht me kapitenin Harry Kane dhe më pas sërish me koreanin Hueng Min Son.

Edhe pjesa e dytë nisi me një gol për skuadrën e drejtuar nga Mourinho, këtë herë me autor mbrojtësin anësor Serge Aurier, ndërsa 10 minuta para fundit të lojës ishte Harry Kane që ekzekutoi saktë një 11-metërsh dhe vulosi triumfin 1-6 për londinezët.

Kjo ishte ndeshja e katërt për Tottenhamin në harkun kohor të një jave dhe pas barazimit mes polemikave ndaj Newcastle, ia doli të eliminojë Chelsean në Carabao Cup, të kualifikohet në grupet e Ligës së Europës falë fitores 7-2 ndaj izraelitëve të Maccabi Haifa dhe së fundi të mposhtë me rezultat tenistik edhe Manchester United.

Vlen të theksohet se vetëm në dy takimet e fundit londinezët kanë arritur të shënojnë plot 13 gola, teksa në pritje të rikuperimit të Gareth Bale, Mourinho po shijon maksimalisht formën fantastike që po kalojnë dyshja Hueng Min Son – Harry Kane.

Me suksesin e sotëm Tottenham ngjitet në vendin e pestë me 7 pikë të grumbulluara në 4 ndeshjet e para, ndërsa Manchester United mbetet në vendin e 16 me vetëm tre pikë të marra në tre ndeshjet e para.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here