Moviola| Juventus-Fiorentina: Penalltia e parë OK, por e dyta?

Arbitri Paskua akordoi dy penallti me ndihmën e VAR-it në sfidën mes Juventusit dhe Fiorentinës, por duke parë edhe reagimet e ashpra të postsfidës, edhe për specialistët e moviolës së “Eurosport”-it, 11-metërshi i dytë i akorduar në favor të bardhezinjve, pavarësisht kontaktit, duket paksa zemërgjerë. 

Gjithsesi, të gjitha rastet e dyshimta të takimit janë zbardhur më poshtë: Minuta 10: Protesta të Juventusit… Duglas Kosta shkëmben sferën për Kuadradon në qendër të zonës, ndërsa Kutrone shkon të shqetësojë Pjaniçin, që bëhej gati të godiste. Për arbitrin Paskua nuk ka faull. Vendim i saktë, i konfirmuar edhe nga asistentët e VAR-it.

Minuta 18: Kontakt Ronaldo-Igor në zonën vjollcë, ndaj një topi të lartë që po shkonte në drejtim të portugezit. Për arbitrin është kontakt jo i kërkuar dhe ndoshta imazhet mund ta mbrojnë vendimin e gjyqtarit, ndonëse CR7 proteston shumë ashpër, duke rrezikuar edhe kartonin e verdhë.

Minuta 37: Penallti për Juventusin… Pjaniç godet nga 20 metra dhe gjuajtja e boshnjakut frenohet me krahë në qendër të zonës nga Xherman Pezela. Kryesori Paskua nuk akordon penallti, por pasi i tërhiqet vëmendja nga dhoma e VAR-it dhe rishikoi pamjet në monitor, ndërron vendimin e tij dhe tregon pikën e bardhë. Vendim i drejtë, pasi ekzistonin të gjitha ekstremet për penallti.

Minuta 68: Juventusi kërkon sërish penallti… Kutrone sheh topin t’i kalojë në krahë, pas një goditjeje me kokë të De Ligtit në zonë, por Paskua vepron drejt duke lejuar lojën.


Minuta 77: Penallti për Juventusin… Çekerini në zonë provon të ndalojë Bentankurin në hyrje të zonës, që kishte filtruar mjaft mirë, duke provuar edhe driblimin. Paskua vërshëllen për penallti, ndërsa Fiorentina proteston ashpër. VAR-i ia lë në dorë arbitrit që të vendosë dhe pasi kryesori e risheh edhe një herë në pamje momentin, konfirmon penalltinë. Për më shumë, karton i verdhë edhe për protestat e Çekerinit. Kontakti ekziston, ndonëse dyshimi se kjo ishte një penallti disi zemërgjerë mbetet.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here